Jo çdo fëmijë që përjeton bullizëm arrin ta tregojë menjëherë atë që po ndodh.
Disa fëmijë flasin. Të tjerë heshtin, ndryshojnë sjellje, ose përpiqen të bindin veten — dhe prindërit — se:
“Nuk është ndonjë gjë e madhe.”
Prandaj vëzhgimi i ndryshimeve në sjelljen e fëmijës ka kaq shumë rëndësi.
Çfarë është bullizmi?
Bullizmi përfshin sjellje të përsëritura që synojnë të dëmtojnë, frikësojnë, poshtërojnë ose përjashtojnë një fëmijë apo adoleshent.
Mund të shfaqet në forma të ndryshme: verbale, fizike, sociale, psikologjike — dhe gjithnjë e më shpesh edhe online, përmes cyberbullying-ut.
Cilat shenja duhet të na bëjnë të ndalemi?
Prindi mund të vërejë:
- frikë ose refuzim për të shkuar në shkollë;
- ndryshim të papritur në humor;
- tërheqje nga familja ose shoqëria;
- ankth të shtuar;
- vështirësi me gjumin;
- rënie të përqendrimit ose të rezultateve në shkollë;
- humbje interesi për gjërat që më parë i pëlqenin;
- ankesa të shpeshta fizike;
- dëshirë për të qëndruar vetëm.
Këto shenja nuk do të thonë automatikisht se fëmija po përjeton bullizëm — mund të lidhen edhe me vështirësi të tjera.
Por ato janë një arsye për të ndaluar, për të vëzhguar dhe për të hapur një bisedë.
Si të flasim me fëmijën?
Mënyra si e hapim bisedën ka shumë rëndësi.
Në vend të:
“Pse nuk më ke treguar?”
mund të themi:
“Kam vënë re që kohët e fundit dukesh ndryshe. Nëse ka diçka që po të shqetëson, mund të ma tregosh. Nuk do të të gjykoj.”
Qëllimi i parë nuk është të marrim menjëherë të gjitha detajet. Qëllimi është që fëmija të ndihet i sigurt për të folur.
Çfarë duhet të shmangim?
Fjali si:
“Mos i kushto rëndësi.”
“Thjesht injoroji.”
“Të gjithë fëmijët grinden.”
mund ta bëjnë fëmijën të ndihet i pakuptuar — ose të mendojë se problemi i tij nuk është i rëndësishëm.
Edhe kur prindit i duket se situata zgjidhet lehtë, për fëmijën ajo mund të jetë shumë e madhe.
Çfarë mund të bëjë prindi?
-
Të dëgjojë pa fajësuar. Fëmija duhet ta kuptojë se nuk është përgjegjës për sjelljen e personit që e bullizon.
-
Të dokumentojë dhe të kuptojë situatën. Sidomos kur sjellja përsëritet ose përfshin komunikime online.
-
Të bashkëpunojë me shkollën. Kur bullizmi ndodh në mjedisin shkollor, komunikimi me personat përgjegjës është i rëndësishëm.
-
Të kërkojë mbështetje profesionale kur duhet. Nëse fëmija po përjeton ankth, tërheqje, vështirësi me gjumin ose ndryshime të tjera të rëndësishme, një vlerësim psikologjik mund të ndihmojë.
Një gjë që fëmija ka nevojë ta dëgjojë
“Unë të besoj. Nuk je vetëm. Do ta përballojmë së bashku.”
Fëmija nuk ka nevojë vetëm për një zgjidhje të problemit. Ka nevojë të ndiejë se nuk po e përballon i vetëm.
Psikologe Rexhina